Brukseli skanon ekonominë – “Reforma në drejtësi nuk ka ulur informalitetin, taksat duhen thjeshtuar”

Kriteri ekonomik është një ndër ata që vlerësohet maksimalisht nga Komisioni Europian dhe strukturat e tjera të Bashkimit Europian për të vendosur më pas në rast se një vend është i përshtatshëm që të jetë pjesë e familjes së përbashkët europiane ose jo. Në raportin e progresit për Shqipërinë, një sërë kapitujsh i referohen pikërisht anës ekonomike dhe financiare. “Ekonomia shqiptare ka vijuar që të zgjerohet, falë kërkesës së brendshme por edhe asaj të jashtme”-thuhet në raport.
“Pavarësisht rritjes së fortë ekonomike, dhe rritjes së punësimit, Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë, i shprehur në paritetin e fuqisë blerëse, ishte sa 29% e mesatares europiane në 2017, çka përfaqëson një hap shumë të ngadaltë konvergjence me Bashkimin Europian”-thuhet më tej. Raporti i progresit jep një vlerësimn të zgjeruar edhe për situatën në të cilën ndodhet biznesi dhe rolin e qeverisë. “Pavarësisht se reformat në drejtësi dhe institucione kanë vijuar, rregulloret inefikase dhe informaliteti vazhdojnë të përbëjnë sfida të mëdha për biznesin. Progresi në reformën në drejtësi nuk është përkthyer ende në një mjedis më të favorshëm për biznesin”-thuhet më tej mes rreshtave në raport. Informaliteti i lartë sipas Komisionit Europian, në rreth 1/3 e PBB shkakton rënie të të ardhurave, mungesë të mbrojtjes në punë, si dhe konkurrencë të pandershme.
Ndër të tjera, Brukseli nënvizon edhe faktin se, përfshirja shtetërore dhe subvencionet publike janë të ulëta në ekonominë shqiptare, pro se, nga ana tjetër, varësia e lartë e PPP-ve rrit rrezikun për influencë shtetërore në disa tregje. Edhe skema e projekteve të pakërkuara merr kritika nga Brukseli. Sa i Përket sektorit privat në tërësi dhe liberalizimit të tregut, Shqipëria vlerësohet të jetë e mirëpërgatitur. Vetëm tregu energjetik vlerësohet të jetë disi i vonuar. Në kapitullin dedikuar taksimit ndërkohë, Komisioni Europian rekomandon qeverinë shqiptare që gjatë vitit në vijim të thjeshtësojë disi regjimin tatimor. Po të shohim raportin e vitit të kaluar, ky rekomandim nuk rezulton, çka do të thotë se indirekt, Komisioni Europian pranon se paketa e re fiskale ka krijuar një regjim kompleks. Një sërë institucionesh ndërkombëtare kanë paralajmëruar për këtë, duke thënë madje se, rrit edhe hapësirat për të shmangur taksat nga biznesi. Kompleksiteti i sistemit të taksave është një ndër pengesat më të mëdha të të bërit biznes në një ekonomi.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.