Brukseli, ultimatum Londrës – 10 ditë kohë për të sjellë një ofertë për Brexit

Bashkimit Europian po i soset durimi me Mbretërinë e Bashkuar dhe së fundmi i ka vendosur një ultimatum të prerë kryeministres Theresa May sa i përket ofertës së qeverisë britanike për Brexit.
Brukseli i ka dhënë kështu afat 10 ditë Londrës për të sjellë një ofertë në tavolinën e negociatave ose në të kundërt bisedimet mund të deklarohen të dështuara. Dështimi përkthehet në mosçelje të negociatave për tregtinë në samitin e muajit Dhjetor.
Pa këtë samit, muajin e ardhshëm, Britania do ta kishte mjaft të vështirë të arrinte marrëveshjet tregtare me Europën por edhe me vendet e tjera, përpara formalizimit të Brexit në Mars të vitit 2019.
Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk ishte pikërisht personi që bëri publik ultimatumin, nëpërmjet rrjeteve sociale. “Ne duhet të shohim progres nga Britania brenda 10 ditëve mbi të gjitha çështjet, përfshirë Irlandën”, shkruan Tusk.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.