Brukseli vlerëson reformat – “Nuk janë zbatuar rekomandimet e vjetshme, ende shumë punë”
Komisioni Europian çdo vit bën një vlerësim të ecurisë së reformave ekonomike të vendeve kandidate dhe atyre potencialisht kandidate për t`iu bashkuar unionit, që janë 6 vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqia. Në kapitullin dedikuar Shqipërisë, Brukseli ndalet në reformat që kanë çaluar dhe në sektorët ku duhet ndërhyrë. Duke i`u referuar programit ekonomik të qeverisë shqiptare për periudhën 2018-2020, Komisioni Europian sqaron se, projeksionet janë tejet optimiste, pasi qeveria flet për një rritje ekonomike mbi 4%, ndërkohë që projeksionet e Brukselit nuk e tejkalojnë 4%.
Komisioni Europian vlerëson se, pengesat kryesore për rritjen ekonomike të vendit dhe konkurrueshmërinë mbeten; reforma në drejtësi, të drejtat e pronës si dhe burokracitë e tepruara të administratës shtetërore, që po dëmtojnë si biznesin vendas, ashtu edhe kapitalin e huaj. Brukseli sqaron në këtë raport se vlerësimet e vitit të kaluar dhe përfundimet e raportit janë marrë parasysh vetëm pjesërisht. Nga ana tjetër, ndër reformat kryesore ku vihet theksi është ai I ndërtimit të kadastrës elektronike si dhe përmirësimi i infrastrukturës, sidomos i infrastrukturës hekurudhore.
Edhe liberalizimi i tregut energjetik ka një rëndësi të veçantë, ashtu si gazifikimi i vendit. Niveli i lartë i informalitetit në ekonomi, korrupsioni, çështjet e pronës dhe aksesi në financim vlerësohen si pengesat kryesore të ambientit të biznesit në vend. Ndër 6 rekomandimet e programit të kaluar të reformave, vetëm një ndër këto pika është përmbushur tërësisht, dhe ajo është normalizmi i inflacionit nga ana e Bankës së Shqipërisë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.