BSH: Ekonomia, mbi pritshmëritë – Sejko: Por, ecuria e tregut të punës, e plogësht
Në fjalën vijuese të vendimit të këshillit mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për të mbajtur të pandryshuar normën bazë të interesit dhe politikat monetare të institucionit, Guvernatori Sejko vuri theksin edhe te mbarëvajtja e ekonomisë gjatë 6-mujorit të parë të vitit, ku nënvizoi se shifrat sinjalizojnë një performancë mbi pritshmëritë e institucionit.
Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare u rrit me 5.5% gjatë tremujorit të parë, duke tejkaluar pritjet tona. Përditësimi i parashikimeve në këtë raport tremujor sugjeron një ecuri pozitive të ekonomisë në horizontin afatmesëm, duke riparë për lart projeksionin e ritmit të rritjes ekonomike gjatë vitit aktual. Rritja ekonomike do të mbështetet nga zgjerimi i konsumit dhe investimeve private, si dhe rritja e eksportit të mallrave dhe shërbimeve. Kjo ecuri do të pasqyrojë përmirësimin e besimit të biznesit dhe konsumatorit, normalizimin gradual të aktivitetit ekonomik në vendet partnere, si dhe ambientin e favorshëm financiar në vend. Më tej, rritja e kërkesës agregate do të ndihmojë rritjen e punësimit dhe të pagave, duke krijuar premisa për kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022.
Guvernatori u ndal edhe te ecuria e dobët e tregut të punës, sidomos në tremujorin e parë të vitit.
“Pavarësisht këtij përmirësimi, tregu i punës ka shfaqur një ecuri të plogësht në tremujorin e parë. Niveli i punësimit vijon të mbetet poshtë atij të regjistruar përpara pandemisë, norma e papunësisë u rrit në 11.9%, ndërsa presionet e tregut për rritjen e pagave janë ende të zbehta. Bazuar në ecurinë historike, Banka e Shqipërisë gjykon se rritja e qëndrueshme e punësimit dhe e pagave do të ndjekë me vonesë kohore zgjerimin e kërkesës për mallra e shërbime”
Sa i përket sektorit bankar, guvernatori e vuri theksin te rritja e kredimit gjatë gjysmës së parë të vitit, si dhe te lehtësimi i kueshteve të huadhënies.
“Kredia për sektorin privat shënoi një rritje mesatare prej 7.7% gjatë tremujorit të dytë, duke vijuar të pasqyrojë një rritje relativisht të shpejtë e të qëndrueshme të kredisë në Lek, të kredisë për qëllime investimi dhe të asaj për blerje banese. Rritja e raportuar e kërkesës për kredi në tremujorin e tretë dhe lehtësimi i kushteve të kreditimit premtojnë një mbështetje të vazhduar me fonde të nevojave për konsum dhe investime. Në këtë kontekst, një rol të rëndësishëm kanë luajtur dhe bilancet në përmirësim të bizneseve shqiptare, të cilat janë pasqyruar në rënien në nivelin 7.1% të raportit të kredive me probleme në muajin qershor”
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.