BSH merr disa vendime – Normë e “drejtë” interesi për kreditë konsumatore, jo promocione me kartëmonedha
Në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, veç mbajtjes së pandryshuar të normës bazë të interesit, pranë nivelit të 0.5%, janë marrë edhe disa vendime të tjera. Një ndër to është ai i disa ndryshimeve në rregulloret për kredinë konsumatore dhe atë hipotekare. Sipas Bankës së Shqipërisë, këto ndryshime synojnë të sjellin praktika të drejta në treg, sa i përket normave të interesit, të kamatvonesave dhe të penaliteteve, kryesisht referuar subjekteve jo banka, si institucionet e mikrokredisë, për produktet e kredisë konsumatore.
Shpesh herë, institucione të tilla aplikojnë norma interesi mjaft të larta, dhe Banka e Shqipërisë ka vendosur të ndërhyjë, duke rregulluar nivelin tavan të normave të interesit dhe kamatvonesave të aplikueshme për klientët. Disa ndryshime të tjera janë miratuar edhe në drejtim të rregulloreve për bankat, sidomos mbi raportin e mbulimit të likuiditetit apo në atë për raportin neto të financimit të qëndrueshëm të bankave.
Një tjetër vendim është edhe ai për kriteret e riprodhimit të kartmonedhave dhe monedhave metalike për qëllime tregtare, promocioni etj. Me këtë ndryshim do të ndalohet riprodhimi i imazheve të kartmonedhave dhe monedhave metalike me qëllim promocioni, pasi publiku i gjerë mund të krijojë përshtypjen se janë të vërteta.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.