BSH miraton buxhetin 2018 – “Viti i Skënderbeut”, emetohen monedha ari

Në mbledhjen e së mërkurës Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka miratuar buxhetin e vitin 2018 dhe buxhetin orientues afatmesëm për vitet 2019-2020. Sipas njoftimit, buxheti garanton përmbushjen e objektivave strategjike të Bankës së Shqipërisë të parashikuara në strategjinë e saj afatmesme të zhvillimit.
Në hartimin e tij janë mbajtur parasysh situata aktuale në tregjet ndërkombëtare financiare, zhvillimet ekonomike dhe financiare brenda vendit, shpenzimet korrente dhe ato kapitale të domosdoshme për miradministrimin e aktiveve dhe burimeve njerëzore. Njëkohësisht, buxheti mbështet kryerjen e investimeve të nevojshme për përmirësimin e infrastrukturës teknologjike dhe të sigurisë.
Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës miratoi strategjinë afatmesme të zhvillimit për periudhën 2018-2020. Dokumenti i miratuar është një përditësim i Strategjisë 2016-2018. Strategjia synon t’u japë një përgjigje proaktive sfidave të mjedisit ku operon Banka e Shqipërisë; të rrisë bashkëpunimin brenda institucionit, të nxisë përdorimin efektiv dhe eficient të burimeve, si dhe të promovojë transparencën dhe llogaridhënien publike.
Gjithashtu, në kuadër të 550-vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti- Skënderbeut, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të miratojë emetimin e një serie monedhash përkujtimore. Seria do të emetohet gjatë vitit 2018 dhe do të përbëhet nga tre monedha, me vlerë emërore 200 Lekë në metal ar, 100 Lekë me metal argjend dhe 50 Lekë në metal të thjeshtë.
Lidon Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.