BSH miraton buxhetin 2020 – Katër objektiva kryesorë për vitin e ardhshëm
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi të mërkurën buxhetin për vitin 2020 dhe buxhetin orientues afatmesëm për vitet 2021-2022. Sipas njoftimit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, buxheti bazohet në situatën aktuale në tregjet ndërkombëtare, zhvillimet e tregut të brendshëm, planin e shpenzimeve kapitale miratuar në Komitetin e Shpenzimeve Kapitale, si dhe reflekton kryerjen e shpenzimeve të nevojshme operative për miradministrimin e aseteve dhe për burimet njerëzore.
Objektivat kryesorë në hartimin e buxhetit të vitit 2020 dhe atij orientues afatmesëm për periudhën 2021-2022 janë funksionimi dhe vijimësia normale e aktivitetit të BSH-së për përmbushjen e funksioneve ligjore të saj; ruajtja e kapaciteteve të burimeve njerëzore, racionalizimi i strukturës organizative, menaxhimi dhe promovimi në karrierë i kapaciteteve njerëzore për një organizim strukturor përgjegjës dhe fleksibël; ruajtja dhe përmirësimi i cilësisë së kartëmonedhave dhe monedhave në qarkullim, rritja e eficiencës në administrimin e parasë si dhe fushata e promovimit dhe prezantimit të kartëmonedhave të reja; përmirësimi i kushteve të punës dhe përditësimi i vazhdueshëm i infrastrukturës së teknologjisë së informacionit dhe sistemeve të sigurisë, në mbështetje të aktivitetit të Bankës.
Gjithashtu, në mbledhjen e të mërkurës, Këshilli Mbikëqyrës miratoi strategjinë Afatmesme të Zhvillimit të Bankës së Shqipërisë për periudhën 2020-2022.
Ky dokument është një përditësim i Strategjisë 2019-2021, përmes të cilit zgjatet afati i zbatimit dhe përcaktohen objektivat kryesorë për periudhën afatmesme.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.