BSH “shtrenjton” euron – Do të rrisë kostot për të ulur euroizimin
Banka e Shqipërisë duket e vendosur të rrisë kostot produkteve në valutë të sistemit bankar, për të frenuar tendencën në rritje të euroizimit, sidomos në krahun e depozitave.
Në deklaratën e stabilitetit financiar, Banka Qendrore shprehet hapur se po vlerëson nevojën për veprime konkrete që do të synojnë të ruajnë një diferencë pozitive mes interesit të lekut dhe atyre të valutave kryesore, si edhe që do të forcojnë ndërgjegjësimin e kredimarrësve për rreziqet që shoqërojnë huamarrjen e pajustifikuar në valutë.
Banka Qendrore është e shqetësuar për rritjen e peshës së detyrimeve në valutë të sistemit bankar, kryesisht për shkak të rritjes së depozitave në euro. Për shkak se rreziku i likuiditetit në euro është më i lartë, Banka e Shqipërisë ka paralajmëruar rritjen e kërkesës rregullatorE për likuiditet, çka do të shprehet në një raport më të lartë mes aktiveve likuide dhe pasiveve afatshkurtra në monedhën europiane.
Rritja e depozitave në valutë mund të bëjë që kreditimi në monedhë të huaj të gjallërohet sërish, pas rënies graduale të regjistruar në vitet e fundit. Kjo do të shtonte rrezikun e tërthortë të kursit të këmbimit, duke pasur parasysh se shumica e kredimarrësve i kanë të ardhurat në lekë.
Gjithashtu, ky proces mund të kthehet në një rreth vicioz, përmes procesit të krijimit të parasë, ku kredia në valutë do të ndikonte në zgjerimin e depozitave në valutë, e kështu në vijim. Në një skenar të tillë, Banka e Shqipërisë shpreh shqetësimin se ndjeshmëria e sektorit bankar dhe agjentëve ekonomikë ndaj lëvizjeve të kursit të këmbimit, do të cenonin aftësinë e politikës monetare të bankës qendrore për të përdorur efektivisht kanalet e transmetimit.
Ky shqetësim është baza e strategjisë për uljen e euroizimit, e zyrtarizuar këtë javë edhe me nënshkrimin e një memorandumi mirëkuptimi mes Bankës së Shqipërisë, Ministrisë së Financave dhe Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.