BSH vlerëson sektorin bankar – “Me shëndet të mirë financiar, vijon aktiviteti kreditues, rriten depozitat”

Në raportin e politikës monetare për tremujorin e dytë të këtij viti, banka e Shqipërisë vlerëson me tonë mjaft pozitive edhe situatën e sektorit financiar privat në vendin tonë. “Politika monetare stimuluese ka qenë efektive në drejtim të garantimit të funksionimit normal të tregjeve financiare dhe të sigurimit të flukseve kredituese për ekonominë. Tregjet financiare janë karakterizuar nga likuiditet i bollshëm dhe nga prime të kontrolluara rreziku. Gjendja e mirë e tyre ka mundësuar përcjelljen e vazhduar të stimulit monetar, i cili ka mbajtur në nivele të ulëta normat e interesit të kredisë për sektorin privat. Aktualisht, normat e interesit të kredisë për bizneset janë më të ulëta se nivelet e tyre përpara uljes së normës bazë në mars 2020. Kredia bankare ka ardhur në rritje dhe ka vijuar të jetë një burim i qëndrueshëm financimi për familjet dhe bizneset shqiptare.”-thotë mes rreshtave në raport banka e Shqipërisë, duke ritheksuar kështu rolin që sektori bankar ka pasur për të zbutur krizën e shkaktuar nga pandemia.
“Në tremujorin e parë, bankat kanë rritur vëllimin e kredisë për sektorin privat me rreth 7.5% në krahasim me një vit më parë. Rritja e kredisë është kanalizuar më së shumti tek bizneset dhe i ka shërbyer kryesisht financimit të investimeve. Financimi në lekë ka njohur ritme të larta rritjeje, duke vijuar trendin përmirësues të viteve të fundit dhe duke krijuar hapësira për rritjen e mëtejshme të efektivitetit të politikës monetare”-nënvizon ndër të tjera institucioni.
“Aktiviteti kreditues i është përmbajtur trajektores rritëse, e mbështetur si në financimin e bizneseve ashtu edhe të individëve. Paralelisht me to, pavarësisht normave të ulëta të interesit, depozitat janë rritur me ritme të larta në përgjigje të prirjes për kursim”-vijon Banka e Shqipërisë sa i përket sektorit bankar.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.