“Bujqësia, prioritet i qeverisë së ardhshme”, Basha me studentët: Zhvillimi nëpërmjet subvencioneve, mundësi të mëdha punësimi
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha është takuar me studentët e Universitetit Bujqësor të Tiranës ku i njohu ata me programin e PD-së për bujqësinë dhe blegtorinë dhe perspektivën që do t’i hapet të rinjve që studiojnë në këtë fushë. Sipas kreut të opozitës, bujqësia dhe blegtoria këto dy sektorë do të jenë prioritet i qeverisë së ardhshme.
“Këto janë kushtet që fermeri shqiptar brenda 5 apo 10 viteve të ardhshme të dali nga niveli i mbijetesës dhe zhytjes në borxh drejt në nivelin e të ardhurave mesatare për frymë prej 1 mln lekësh të vjetra në muaj që është dhe synim i programit tonë, të bëhet pjesë e shtresës së mesme, kjo është plotësisht e mundur. Ky treg krijon jo thjesht mundësi, por një kërkesë dhe etje për trurin, për specialistet dhe profesionistët.
Studentët shprehën shqetësimet e tyre lidhur me tarifat dhe mundësitë e punësimit pas mbarimit të studimeve, për të cilat morën mbështetje nga kryedemokrati Basha, si një ndër prioritetet e qeverisë së ardhshme.
“Është detyra e qeverisë ta ndalë këtë katastrofë kombëtare të largimit dhe ky është prioriteti kryesor që ne kemi. Të gjithë këtë potencial të madh të rinisë shqiptare ta vendosim ën funksion kryesor që është zhvillimi ekonomik, ulja e papunësisë dhe hapja e vendeve të punës.
Vetëm përmes kësaj mund të sjellim një kosto jete të përballueshme, vetëm përmes kësaj mund të përmirësojmë cilësinë e jetesës së familjeve shqiptare, të ndalojmë emigracionin e të rinjve dhe mund të bëjmë të mundur që investitorët e huaj ta shohin Shqipërinë, atë që është me të vërtetë, një potencial i jashtëzakonshëm që po pret të zhvillohet.”
Basha premtoi subvencione dhe mbështetje reale për fermerët, rreth 100 milionë euro në vit, përfshirë digjitalizimin për të shmangur, sipas tij çdo hallkë të korruptuar të drejtorive rajonale bujqësore.
Nertila Doko / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.