Bujqësia/ Zgjidhja që jep qeveria për fermerët që shesin nën kosto. Ja si do të veprohet për ngritjen e strukturave të grumbullimit dhe të përpunimit

Në dëgjesën publike të zhvilluar në Fier, kryeministri Rama ka folur edhe për çështjet e bujqësisë, ku iu bëri thirrje fermerëve që shesin nën kosto, të bashkohen, pasi sipas tij ky do të ishte një shpëtim për ta.
“Bujqësia është një tjetër problem i madh. Ka vetëm një shpëtim për fermerët që shesin nën kosto, të bashkohen. Nuk i shpëton askush tjetër, përveç interesit të tyre për të qenë të bashkuar dhe çmimin ta vendosin vetë ata. Të ndarë, çmimin e vendos tregtari. E zëmë se jemi 7 veta këtu në fshat dhe shesim të vetëm, tregtari do të na fuste në një garë për ta marrë produktin me çmimin më të ulët. Ne duhet të bashkojmë konceptin se çfarë do të mbjellim, jo të ndajmë tokën e jo njëri të mbjellë domate e tjetri qepë. Ne do vendosim çfarë do të mbjellim, çfarë plehrash do përdorim dhe kështu do të ulim koston e prodhimit. Nëse secili prodhon i vetëm, ka kosto me të lartë”, tha kryeministri.
Nga ana tjetër kreu i qeverisë iu bëri thirrje bashkive që të jenë afër fermerëve, për të ndërtuar strukturat e grumbullimit e ato të përpunimit, si dhe të futen në këtë proces për të bërë gjithë punën bindëse me fermerët.
“Të shfrytëzohen financimet alternative. Kemi krijuar një fond kombëtar për bujqësinë për ata që duan të ndërtojnë struktura të tilla, por kjo kërkon projekt, organizim dhe bashkëpunim me bashkitë. Nuk presim që shteti të na gjejë tregun, por kërkohet një ndërmjetësim. Gjithashtu do të reformojmë të gjithë sistemin e bujqësisë. Drejtoritë e Bujqësisë nuk do jene këto që janë. Qeveria do të bëjë politikat dhe të përcaktojë buxhetet, pjesën e tjetër të punës duhet ta ndajmë mes agjencive të pagesave dhe bashkive”, pohoi kryeministri.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.