Bullgaria i bashkohet gjashtëshes – Bëhet pjesë e tregut energjetik rajonal
Bullgaria ka nënshkruar një dokument ku bëhet pjesë e memorandumit të mirëkuptimit të nënshkruar nga 6 Ministrat e Financave të Ballkanit Perëndimor sa i përket tregut energjetik rajonal.
Nëpërmjet këtij dokumenti, Bullgaria kërkon t`i bashkohet iniciativës së Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë, Malit të zi, dhe Bosnje Hercegovinës, të nënshkruar në Prill të vitit të kaluar. Lajmi është bërë i ditur nga vetë komuniteti energjetik.
Marrëveshja mes palëve përfshin një treg të integruar energjetik mes vendeve pjesëmarrëse, bashkëpunim ndërkufitar dhe zhvillimin e një tregu rajonal.
“Vetëm një qasje e bashkërenduar për bashkimin e tregut në Evropën Juglindore do të sjellë likuiditetin e nevojshëm për të mbështetur konkurrencën dhe efikasitetin në treg, duke maksimizuar përfitimet për konsumatorët e energjisë”, deklaroi Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Janez Kopac.
Ky institucion u themelua me traktat ndërkombëtar në vitin 2005 dhe që prej vitit 2013, pjesëmarrëse veç vendeve të Ballkanit Perëndimor janë edhe Kroacia, Moldavia, Ukraina dhe Bashkimi Europian.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.