Bullgaria rivendos karantinën. Rritje e shpejtë e rasteve me Covid-19. Spitalet, në mbikapacitet
Bullgaria deklaroi se do të mbyllë shkollat, restorantet, qendrat tregtare dhe palestrat deri më 21 Dhjetor, ndërkohë që po has vështirësi për të përmbajtur rritjen e rasteve me Covid-19. Masat e reja, që do të nisin nga dita e Premte, synojnë të parandalojnë mbikapacitetin e sistemit shëndetësor dhe ngadalësimin e normës së infeksionit tek shteti ballkanik prej 7 milionë njerëz. “Vetëm 1 gjë ka treguar se ndikon tek Covid-19, reduktimi i kontaktit social apo karantina.
Për të zbutur presionet tek spitalet, ne do rikthejmë masat për 3 javë”- tha Kryeministri Bojko Borisov. Ashtu si pjesa më e madhe e Europës Lindore, Bullgaria e përballoi valën e parë të pandemisë relativisht mirë, por rastet janë rritur ndjeshëm gjatë Vjeshtës. Bullgaria regjistroi 4,382 raste në 24 orët e fundit, duke e çuar totalin në 129,348. Mbi 6,300 persona janë shtruar në spitale dhe rreth 400 prej tyre ndodhen në njësinë e kujdesit intensive. Spitalet po hasin vështirësi dhe shumë prej tyre kanë mungesë të stafit, prej rritjes së infeksionit tek mjekët.
Vdekjet nga Covid-19 për 100,000 banorë në Bullgari, mbajnë vendin e 3 në Bashkimin Europian, pas Belgjikës dhe Republikës Çeke, sipas të dhënave në 14 ditët e fundit. Disa qindra bullgarë protestuan kundër masave dhe kërkuan dorëheqjen e qeverisë, duke e akuzuar se ka dësthuar me reformat e sistemit shëndetësor dhe të arsimit.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.