“Bum” turizmi në Itali – Gjeneron 22 mld euro, 55.6% e popullsisë shkon me pushime
Temperaturat tepër të nxehta të këtij viti kanë gjeneruar fitime rekord për turizmin në Itali. 34 milionë italianë, ose 56.6% e popullsisë, vlerësohet të kenë shkuar për pushime nga Qershori në Shtator, në rritje me 3.2% në krahasim me një vit më parë.
43.1% e italianëve ndërkohë deklarojnë se, nuk kanë bërë dhe nuk do të bëjnë asnjë ditë pushime. Në 55% të rasteve kjo zgjedhje lidhet me faktorët ekonomikë. Ky numër është në rënie në krahasim me 2016.
Përllogaritet një xhiro në 22 miliardë euro, në rritje me 2.2% në krahasim me 2016. Të paktën, në këtë përfundim arrin shoqata e hotelierëve italianë. Të dhënat janë përpiluar në formën e një ankete.
Kohëzgjatja mesatare e pushimeve mbetet e qëndrueshme në 10 netë.
Pjesa dërrmuese e italianëve, 78.6% e tyre, kanë vendosur të qëndrojnë në vendin e tyre, ndërkohë që në 2016, kjo normë fiksohej në 74.5%.
21.2% kanë vendosur të shkojnë jashtë Italisë për pushime.
Plazhi dhe deti janë destinacioni i preferuar, për 68.3% të pushuesve. 10% kanë zgjedhur malin, 5.8% qytetet e artit, 3.2% lokalitetet me ujëra termale.
Shpenzimi mesatar për frymë për pushimet verore vlerësohet në 838 euro. 50% e pushuesve në hotelet italiane janë të huaj.
Vetëm gjermanët vlerësohen në 6 milionë, ndjekin Shtetet e Bashkuara me 2.4 milionë dhe francezët me 2.2 milionë.
Turizmi në Itali i jep punë 1.1 milionë njerëzve.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.