Bundestag-u forcon rregullat e Covid – 1 deri 2 mijë euro gjoba për ata që nuk respektojnë masat!
Në ditën kur Gjermania raportoi një numër rekord të rasteve me COVID-19, Bundestagu ka forcuar kufizimet por jo të gjithë parlamentarët janë dakord, në radhë të parë AfD-ja e ekstremit të djathtë është kundër.
Forcimi i rregullave për parlamentarët vjen pikërisht në ditën kur Instituti i Mbikqyrjes Shëndetësore dhe Profilaksisë Robert Koch (RKI) komunikoi një rekord të ri të infeksioneve brenda një dite, mbi 80.000 raste me COVID.
Deputetët për të hyrë në sallën plenare dhe në sallat e mbledhjeve të grupeve parlamentare e të komisioneve duhet në rast se nuk kanë marrë dozën përforcuese të vaksinës të paraqesin përpos dokumentit të vaksinimit, ose vërtetimit të shërimit nga COVID edhe një test negativ antigjen.
Deputetët që nuk mund të vaksinohen për arsye shëndetësore mund të hyjnë në sallën plenare me një test negativ PCR. Por deputetët e tjerë që nuk janë vaksinuar plotësisht lejohen të marrin pjesë në seanca vetëm duke qëndruar në lozhën e publikut por edhe për këto mjedise duhet një test negativ antigjen. Rregullat e reja në Bundestag janë të njëjtat sikurse vlejnë edhe për baret e restorantet në mbarë vendin.
Për ata që nuk duan t’u përmbahen këtyre rregullave janë parashikuar gjoba. Administrata e Bundestag-ut planifikon gjoba nga 1.000 euro për herën e parë dhe 2.000 euro nëse shkejet përsëriten. Madje ata mund të konfrontohen edhe me refuzimin e fletëhyrjes. DW
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.