Burg për sigurinë ushqimore, Konfindustria: Duhen edhe masa shoqëruese, përndryshe ka pasoja afatgjata
Në Kuvend është depozituar një nismë ligjore që parashikon ashpërsimin e ndëshkimeve për ata që abuzojnë me sigurinë ushqimore. Ndryshimet ligjore parashikojnë burgim deri në 10 vite për shkelësit.
Konfindustria, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, ka shprehur mbështetjen për nismën por kërkon marrjen e masave shoqëruese për zbatimin e tij efektiv nga agjencitë shtetërore.
“Në rast të kundërt rrezikohet jo vetëm qëllimi i nismës ligjore, por krijon kushte për rritjen e shkallës së korrupsionit, goditjen e bujqësisë, industrisë agroushqimore dhe turizmit, biznesit të ndershëm dhe humbjen e mëtejshme e besimit të konsumatorëve me pasoja të rënda në afatgjatë për ekonominë kombëtare” shprehet administratori i Konfindustrias në njoftimin e shpërndarë për mediat.
Në njoftimin për shtyp, Konfindustria shprehet se ashpërsimi në Kodin Penal si dhe zbatimi efektiv nga agjencitë shtetërore, do të mbronte industritë, bizneset dhe fermerët e ndershëm, të cilët goditen nga prodhimet e importuara, pa standardet e duhura.
“Konfindustria vlerëson, se shkak kryesor për sigurinë ushqimore të rrezikuar në tregun shqiptar është paaftësia, subjektivizmi, korrupsioni i agjencive shtetërore të fushës” përmendet në njoftimin për shtyp.
Konfederata e Industrive te Shqipërisë thekson faktin se siguria ushqimore, është një faktor që ndikon drejtpërdrejt edhe në industrinë e turizmit në Shqipëri.
Jenida Vladi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.