Burimet ujore – BB: Strategjia në konsultim, gati për të kaluar në qeveri

Shqipëria është një ndër vendet me burime të pasura ujore, por menaxhimi i tyre në funksion të përfitimit ekonomik në shumë raste lë për të dëshiruar.
Për të përmirësuar këtë pjesë tashmë vendi ka një projekt në fuqi me Bankën Botërore, projekt i cili ndal vëmendjen tek përdorimi i këtyre burimeve në mënyrë efikase për ujitjen në bujqësi.
Në raportin e fundit të projektit Burimet Ujore dhe Ujitja, theksi vihet tek disa nga hapat konkretë që janë hedhur. Kështu së pari nga procedurat e prokurimit të projektit mendohet se është bërë një kursim në fonde që mund të shkojë për skemë tjetër financimi.
Së dyti Banka Botërore vlerëson se tashmë kemi një strategji për menaxhimin e burimeve ujore që aktualisht është në konsultime tek Ministria e Bujqësisë dhe Sekretariati Teknik i Ujit.
Pasi të kalojë këtë fazë kjo strategji pritet që të kalojë në qeveri për të vendosur edhe piketat e menaxhimit të burimeve ujore në afatgjatë.
Në raport bëhet me dije se plani i menaxhimit për basenet e Drin-Bunës dhe Semanit kanë ecur sipas parashikimeve dhe pritet që të përfundojnë brenda korrikut 2017.
Dizjenimi i sistemit për kadastrën e ujit tashmë ka përfunduar dhe aktualisht ministria përgjegjëse po prokuron sistemin hardware dhe software.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.