Burokracia në Itali – Në jug 15 vite për të falimentuar, në veri 7 vite e gjysmë
Një studim i fundit tregon qartë atë që thuajse dihet, se burokracitë në Itali janë problemi numër një. Ky studim thekson se, në Italinë e Jugut një kompanie i duhen plot 15 vite për të falimentuar, ose 5500 ditë.
Të dhënat e Bankës Qendrore në vend tregojnë se koha mesatare është prej 4400 ditësh. Të njëjtat të dhëna tregojnë se duhen 2750 ditë, ose 7 vite e gjysmë për të ekzekutuar një urdhër gjyqësor për sekuestrimin e pasurive të paluajtshme.
Në qendër të Italisë ndërkohë, kjo kohëzgjatje thuajse përgjysmohet. Koha mesatare e falimentit zbret në 3500 ditë, ose 9 vite e gjysmë, ndërkohë që ajo e ekzekutimit të urdhrit të gjykatës zbret në 1700 ditë.
Në veri të vendit ndërkohë, duhen mesatarisht 7 vite e gjysmë për të shpallur falimentin dhe tre vite për të zbatuar urdhrin e gjykatës.
Studimi arrin në përfundimin se, burokracitë e tepërta të drejtësisë civile në vendin fqinj kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në Prodhimin e Brendshëm Bruto të vendit.
Por ajo që shqetëson më shumë në vend është pikërisht diferenca drastike mes zonave të ndryshme të Italisë, gjë që është e papranueshme.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.