Bursa e energjisë, jo gati këtë vjet – OST, Drenova: Në operim, gjatë 3-mujorit të parë 2021
Pavarësisht vonesave disa vjeçare, bursa e energjisë nuk do të jetë funksionale as këtë vit. Gjithçka konfirmohet nga administratori i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, Skerdi Drenova, i cili ka bërë një prezantim të punës gjatë situatës së krijuar nga COVID-19. Sipas tij, operimi i bursës pritet të nisë në tremujorin e parë të vitit 2021.
Fokus të veçantë gjatë kësaj periudhe ka patur edhe krijimi i Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike, e cila përben një hap të rëndësishëm në krijimin e një tregu funksional dhe konkurrues të energjisë elektrike me synim integrimin rajonal dhe europian të tij. Ekipi i OST sh.a. ka patur një rol kyç në procesin e përzgjedhjes së aksionerve të Bursës së Energjisë, të cilët tashmë janë OST sh.a. dhe KOSTT sh.a. Brenda muajit shtator pritet të themelohet kompania për të vazhduar më pas punën për krijimin e të gjitha kushteve dhe investimeve të nevojshme për ta çuar Bursën e Energjisë në operim dhe aktivitet në tremujorin e parë të 2021 me tregun e ditës në avancë.
Ngritja e bursës parashikon listimin e prodhuesve të energjisë elektrike, duke lehtësuar blerjen e energjisë nga të gjithë ata bizneset e liberalizura që sigurojnë vetë sasinë e nevojshme të energjisë. Nga ana tjetër, pritet që tregtimi me shumicë i energjisë të ulë çmimin për konsumatorët, ndërsa prodhuesit do të kenë mundësi të shesin e blejnë, duke u bërë pjesë e platformave rajonale të tregtimit të saj. Për vitin 2020 Operatori i Sistemit të Transmetimit ka planifikuar një buxhet prej 62.5 mln lekësh, që do të shkojë për ngritjen e Operatorit të Tregut.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.