Bursa e parë private – Ministria e Ekonomisë : Mbështet zhvillimin ekonomik dhe biznesin
“Bursa e parë private në Shqipëri mbështet zhvillimin ekonomik të vendit dhe do të ketë një impakt pozitiv për investimet afatgjata nga ana e biznesit”.
Deklarata vjen nga drejtoresha e Zhvillimit dhe Bashkëpunimit Ekonomik, pranë Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Pranvera Kastrati, e cila në një prononcim për TV SCAN komenton hapjen e bursës shqiptare të titujve ALSE.
“Pa diskutim që krijimi i bursës është një hap shumë i rëndësishëm në mbështetjen e zhvillimit ekonomik të vendit dhe padyshim në mbështetje të bizneseve dhe sipërmarrjes. Kjo, parë edhe nga fakti që në të gjitha vendet, qoftë të zhvilluara, qoftë ato në zhvillim, bursa i ka dhënë shumë vlerë të shtuar burimeve afatgjata të investimit. Dhe për sa kohë që bizneset kanë nevojë të kenë mundësi dhe alternativa të ndryshme për të investuar në një periudhë afatgjatë, bursa në mendimin tonë do të japë patjetër një impakt pozitiv. Krijimi i bursës në vetvete do të mundësojë edhe listimin e kompanive, do të mundësojë kuotimin e aksioneve të tyre dhe do të ketë mundësi që shoqëritë tregtare të tregtojnë aksionet e tyre në bursë. Në mënyrë që kjo të ndodhë ka nevojë që bursa të ketë imazhin e besimit te të gjitha shoqëritë tregtare në Shqipëri dhe krijimi i besimit midis bursës, si një institucion i krijuar tashmë, dhe shoqërive tregtare në Shqipëri është shumë i rëndësishëm”, u shpreh Kastrati.
Sipas Kastratit hapja e bursës shoqërohet me një sërë sfidash për shoqatat e biznesit, por edhe për institucionet shtetërore, të cilët janë përgjegjës për ndihmuar dhe rritur dijet e biznesit shqiptar në këtë fushë.
“Bizneset vetë duhet ta kuptojnë ç’është bursa. Duhet të kenë informacion në mënyrë që ta besojnë atë. Mjafton të kujtojmë që në vitin 1996 kur u krijua bursa për herë të parë, pati një rigjallërim në vitin 2002 Bursa e Tiranës, por që nuk rezultoi një sipërmarrje e suksesshme dhe nuk dha atë impakt që pritej të jepte në atë kohë. Nuk mund të them se faktori kryesor ishte fakti që mungonte edukimi për bursën, por duhet pranuar që edukimi ka patur rolin e vet. Unë besoj që institucionet shqiptare, të cilat janë përgjegjëse për mbikëqyrjen, dhe në këtë rast roli i Autoritetit Mbikëqyrës Financiar është shumë i rëndësishëm, po së bashku me institucione të tjera që monitorojnë tregjet financiare në Shqipëri, duhet të ndihmojnë për të trajnuar dhe për të ngritur dijet që biznesi ka për bursat. Kuptohet që bursa fillimisht do jetë më e pranueshme dhe më shpejt e përdorshme nga bizneset elitare, por nëse rritet shkalla e ndërgjegjësimit dhe shkalla e njohurive për të, mundet që ajo të kthehet në një mundësi të mirë përfitimi si për bizneset e mesme, ashtu edhe për qytetarët”, tha Kastrati për SCAN.
Bursa e parë private u licencua nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare në datën 3 korrik, ndërsa do të fillojë të funksionojë gjatë vjeshtës së këtij viti.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.