Bursa për studentët e ekselencës, Bushati: Lehtësi për të rinjtë që duan të studiojnë jashtë

Të gjithë studentët dhe maturantët e ekselencës do të kenë mundësi të përfitojnë bursa studimi jashtë vendit.
Në një takim të zhvilluar ditën e sotme ministri i Jashtëm Ditmir Bushati u shpreh se “Krahas përpjekjeve individuale që ju dhe prindërit tuaj bëjnë për të fituar mundësi studimi në Europë dhe SHBA, ne gjithashtu duam të shërbejmë si pikë lehtësimi ndërmjet institucioneve që ofrojnë bursa të plota dhe të pjesshme, që nesër të mos jeni vetëm ju përfituesit, por e gjithë shoqëria”.
Bushati pohoi se ky proces do të shtrihet edhe në 6 qytete të tjera.
“Duke parë përpjekjet dhe sakrificat e prindërve dhe familjeve shqiptare, kjo na nxiti për ta bërë këtë në 6 qytete të tjera me studentë dhe maturantë të ekselencës. Janë rreth 25 mijë shqiptarë që studiojnë jashtë vendit, janë me rezultate mjaft të mira në vendet ku studiojnë, prandaj duam të vendosim fokusin tonë tek të rinjtë duke hapur institucionin tonë për ta. Ne duhet t’i japim një mundësi atyre, si dhe një shtysë zhvillimit tonë ekonomik dhe shoqëror. Te rinjtë mund të japin një kontribut disa herë më të madh për zhvillimin e Shqipërisë. Shfrytëzojeni këtë mundësi për një zhvillim më të qëndrueshëm të vendit tonë”, tha Bushati.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.