Bursa shqiptare e Energjisë/ Detajet: Do të ketë 250 mijë aksione dhe kapital 250 mln lekë! Cilët do t’i zotërojnë ato

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shpallur procedurën konkurruese për përzgjedhjen e pjesëmarrësve në kapitalin e Operatorit të Tregut të Energjisë ose e thënë ndryshe Bursa Shqiptare e Energjisë.
Në vitin 2019 është vendosur krijimi i Operatorit të Tregut (Bursa Shqiptare e Energjisë), si struktura përgjegjëse për menaxhimin dhe administrimin e tregut të organizuar nëpermjet platformës së tregut, i cili do të operojë në fushën e shkëmbimit të energjisë elektrike në Shqipëri, në formën e një shoqërie aksionare, të ndarë financiarisht dhe ligjërisht nga “Operatori i Sistemit të Transmetimit” sh.a..
Përzgjedhja e personave të tjerë juridikë që do të bëhen pjesë në strukturën e pronësisë së kapitalit të Operatorit të Tregut (perveç “Operatorit të Sistemit të Transmetimit” sh.a. – OST sh.a.) do të kryhet përmes procedurës konkuruese përzgjedhëse, nga Komisioni i Posaçëm i ngritur nga Ministri i MIE dhe Ministri i MFE.
Referuar shpalljes, raporton SCAN, kapitali fillestar i shoqërise do të jetë 250 milionë lekë dhe është i ndarë në 250 mijë aksione me vlerë nominale 1 mijë lekë secili. Çdo aksion ka vlerë të barabartë.
Numri i aksioneve në dispozicion të subjekteve që mund të jenë pjesë e strukturës së pronësisë së kapitalit të Operatorit të Tregut, do të jetë:
a) Operatorë të Sistemit të Transmetimit të Energjisë Elektrike – TSO (përjashtuar OST sh.a.) –51 mijë e 250 aksione, ekuivalent me 20,5 % të kapitalit aksionar
b) Operatorë me Eksperiencë Ndërkombëtare – OEN – 61 mijë e 250 aksione, ekuivalent me 24,5 % të kapitalit aksionar
c) Pjesëmarrës në Tregun e Energjisë Elektrike – PTE – 25 mijë aksione, ekuivalent me 10 % të kapitalit aksionar)
d) Institucione Financiare Ndërkombëtare – IFN-të – 25 mijë aksione, ekuivalent me 10 % të kapitalit aksionar.
Secili pjesëmarrës duhet të paraqesë vetëm një propozim vetëm për një kategori te sipërpërmendur.
Numri i aksioneve të rezervuara për Operatorin e Sistemit të Transmetimit sh.a. – OST sh.a. do të jetë 87 mijë e 500, ekuivalent me 35% e kapitalit të shoqërisë së Operatorit të Tregut.
Afati kohor për dorëzimin e propozimeve nga subjektet e interesuar për të marrë pjesë në procedure është data 27 prill 2020, për secilin pjesëmarrës sipas kategorive ku marrin pjesë, orari do të jetë si më poshtë vijon:
Institucione Financiare Ndërkombëtare – IFN-të ora 12:00
Operatorë me Eksperiencë Ndërkombëtare – OEN ora 12:30
Operatorë të Sistemit të Transmetimit të Energjisë Elektrike – TSO ora 13:00
Pjesëmarrës në Tregun e Energjisë Elektrike – PTE ora 13:30
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.