Bursat europiane i rikthehen fitimeve – Investitorët po vlerësojnë rreziqet e inflacionin dhe recesionit

Tregjet europiane janë hapur në rritje të lehtë, në sesionin e sotëm, pas një javë të paqëndrueshme, ndërsa investitorët anembanë botës po vlerësojnë rreziqet që mund të vijnë nga inflacioni dhe nga ngadalësimi i ekonomisë. Indeksi pan-Europian STOXX 600 është hapur në rritje me 0.6%.
Javën e kaluar, bankat qëndrore më të mëdha në botë ndërmorën politika agresive për të kontrolluar inflacionin. Gjithashtu, fokusi i qeverive është përqndruar në uljen e kostove të energjisë dhe të ushqimeve, që janë kontribuuesit kryesore në rritjen e inflacionit në të gjithë botën.
Por, në anën tjetër, kjo politikë monetare agresive ka rikthyer frikën për recesion, që e vuri në dukje edhe shefi i Rezervës Federale, Jerome Powell, gjatë dëshmisë së tij në Kongres. Ai tha se banka qëndrore është e vendosur të verë nën kontroll inflacionin, pavarësisht rreziqeve se ekonomia mund të bjerë në recesion.
Investitorët po presin edhe të dhënat mbi shitjet me pakicë në Mbretërinë e Bashkuar për majin, Prodhimin e Brendshëm Bruto në Spanjë dhe vëzhgimin e institutit Ifo për ekonominë gjermane.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.