Bursat europiane në ‘rënie të lirë’ – Shitje masive aksionesh në këmbim të ‘strehëve të sigurta’!

Shkëmbimet europiane të aksioneve, në prag të rënies shumë të fortë në sheshet aziatike, kanë filluar të regjistrojnë një rënie makroskopike gjatë seancës më të fundit të mbushur me tension të lartë, pas zbritjes drastike prej -30% të naftës (në nivelet më të ulëta që nga viti 1991), pas mungesës konkrete të OPEC+ dhe frikës për përhapjen gjithnjë e më të gjerë të Koronavirusit, i cili bëri të domosdoshme masat drastike të nisura nga disa vende, përfshirë dhe vendin tonë.
Të gjitha bursat europiane kanë regjistruar një rënie masive gjatë seancave të fundit si ajo e Milanos me më shumë se 8%, e Londrës (-8%), Madrid (-7%) dhe Frankfurti (-8%).
Spread-i midis BTP dhe Bund vajti deri në 216 pikë përkundrejt 178 javën e kaluar. Duhet të theksohet se rendimenti në Thesarin 10-vjeçar Amerikan ka rënë përkohësisht nën 0.5%, duke regjistruar rënien më të fortë që nga Lufta e parë e Gjirit.
Tregjet e kapitalit janë kthyer nga një javë jashtëzakonisht e paqëndrueshme e cila ka parë indekset ‘peng’ të urdhrave të shitjeve për shkak të frikës për përhapjen globale të Koronavirusit. Infektimet jashtë Kinës vazhdojnë të rriten në mënyrë eksponenciale dhe qeveritë kanë nisur plane emergjente për të përmbajtur përhapjen e sëmundjes.
Shpejtësia me të cilën kjo po ndodh ka befasuar investitorët të cilët, duke çmuar rrezikun e një recesioni global si rezultat i ndaljes së biznesit, kanë shitur masivisht aksione burse duke kërkuar strehim në të ardhura fikse. (ilsole24ore)
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.