Bursat europiane, të fokusuara te Ukraina – Konflikti hyn në fazën e dytë, Rusia pushton qytetin e Kreminës!
Bursat europiane janë hapur me ndryshime të vogla në sesionin e sotëm, ndërsa investitorët po monitorojnë zhvillimet në Ukrainë dhe vlerësimet më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për ekonominë globale. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 është hapur në rënie të lehtë me 0.2%, ndërsa shumica e sektorëve janë në rënie modeste.
Aksionet e Credit Suisse ranë me rreth 2.5% në nisje të tregtisë, pasi grupi zviceran njoftoi se pret humbje në tremujorin e parë të vitit, kryesisht si pasojnë e kostove në çështjet ligjore. Gjithashtu, tregjet eruopiane vijojnë të monitorojnë luftën në Ukrainë. Konflikti tashmë ka hyrë në fazën e dytë, në të cilët kanë filluar luftime të ashpra në lindje të vendit. Qyteti lindor i Kreminës ra në duart e forcave ruse të martën, njoftoi guvernatori rajonal, duke regjistruar qytetin e parë që pushtohet në këtë fazë të luftës.
Si pasojë e konfliktit, ekonomia e Eurozonës po ngadalësohet me shpejtësi, për shkak të inflacionit të lartë, që po rëndon në të ardhurat e konsumatorëve. Të martën, FMN uli parashikimin për rritjen ekonomike globale gjatë vitit 2022 dhe 2023, duke thënë se ndikimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia do të ketë një përhapje shumë të gjerë. Gjithashtu, të hënën edhe Banka Botërore uli parashikimin global për këtë vit me thuajse 1 pikë të plotë përqindje.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.