Bursat europiane zgjerojnë fitimet – Investitorët presin rifillimin e negociatave mes Rusisë dhe Ukrainës
Tregjet europiane kanë zgjeruar fitimet në sesionin e sotëm, ndërsa investitorët po presin rifillimin e bisedimeve mes Rusisë dhe Ukrainës. Indeksi pan-Europian STOXX 600 është hapur në rritje me 0.3%. Ditën e sotme delegacionet e Rusisë dhe Ukrainës do të udhëtojnë drejt Turqisë për të rifilluar raundin e ri të bisedimeve ballë për ballë.
Zyrtarët ukrainas deklarojnë se nuk do të hapin asnjë korridor humanitar për evakuimin e civilëve, pasi inteligjenca shprehet se forcat ruse po planifikojnë të sulmojnë rrugët e evakuimit. Gjithashtu, investitorët po presin edhe disa të dhëna ekonomike që pritet të pubikohen gjatë ditës së sotme në SHBA dhe Europë.
Raporti mbi punësimin në SHBA mund të japë një panoramë më të qartë mbi rritjen e interesave nga Rezerva Federale. Ndër zhvillimet e tjera, ministri i energjisë i Emirateve të Bashkuara Arabe deklaroi për CNBC se Rusia do të jetë gjithmonë pjesë e OPEC+, pavarësisht se qeveria nuk pajtohet aspak me pushtimin e Ukrainës.
Në tregun e naftës, bençmarkët kryesorë po qëndrojnë sërish në rënie, duke zgjeruar humbjet e një dite më parë. Brenti i Londrës po tregtohet në rreth 112 dollarë për fuçi.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.