Bursat globale në rënie – E nisin javën në performancë negative, shqetëson rritja e yield-eve
Tregjet e kapitalit e nisën javën në performancë negative, ndërkohë që investitorët janë shqetësuar nga rritja e interesave të titujve të borxhit, nxitur nga pritshmëritë për rritjen e inflacionit. Tregjet aziatikë kryesuan rënien, duke ndjekur bursat amerikane ditën e Premte, që ishte dita më e keqe tregtare në 2 vite.
Indeksi i titujve të kapitalit Dow Jones në SHBA, humbi 667 pikë, që është rënia e 6-të më e madhe në historik. Kjo erdhi prej publikimit të të dhënave mbi punësimin, që pati rritje sipër projeksioneve, gjë që shtoi pritshmëritë e rritjes së inflacionit.
Edhe tregjet europianë janë hapur në performancë të dobët, ndërsa tregtimi i kontratave të së ardhmes, tregon për një hapje negative në SHBA gjithashtu për ditën e Hëne.
Indeksi i titujve të kapitalit në Londër, pati rënie me 1%, ndërsa bursat gjermane regjistruan humbje gjithashtu, prej dështimit për të përfunduar bisedimet për koalicion brenda afatit. Sipas analistëve, pritshmëritë për tkurrje të politikave monetare po fillojnë të ndikojnë në kushtet financiare.
Tregjet e borxhit kanë patur presione këtë vit, ndërkohë që ndjesia mbi ekonominë është përmirësuar dhe bankat qendrore kanë hequr një pjesë të stimujve monetarë, që janë projektuar për periudha të krizave.
Interesat e borxhit 10-vjeçar në SHBA, u rritën në 2.88%, ndërkohë që rritja e pagave dhe fuqizimi i ekonomisë kanë shtuar mundësitë e tkurrjes së shpejtë monetare nga Rezerva Federale.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.