Bursat, në pritje të negociatave Rusi-Ukrainë – Nafta zgjeron fitimet, Brenti i Londrës ngjitet në 112 USD për fuçi

Tregjet europiane po shfaqen të qëndrueshme në sesionin e sotëm, ndërkohë që lufta mes Rusisë dhe Ukrainës vijon të ndikojë besimin e investitorëve. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 e ka nisur ditën në rënie të lehtë me 0.1%, ndërsa sektori i teknologjisë realizon humbjet më të mëdha me 0.6%. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, paralajmëroi gjatë fundjavës se nëse dështojnë bisedimet e paqes me liderin rus, Vladimir Putin, kjo do të thotë fillimi i luftës së tretë botërore.
Zyrtarët rusë dhe ukrainas kanë zhvilluar negociata të vazhdueshme, por kanë dështuar në bëjnë progres në pikat kyçe. Gjithashtu, investitorët po vlerësojnë rritjen e infektimeve me Covid-19 në Europë, si pasojë e një nënvarianti të Omicron, i cili mendohet se është më i transmetueshëm. Në tregun e naftës, çmimet vijojnë tendencën në rritje, me Brentin e Londrës që ka shkuar pranë 112 dollarëve për fuçi, duke zgjeruar fitimet e javës së kaluar.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.