Bursat, në rënie të lehtë – Ndikon vendimi i Rusisë për të ndërprerë gazin ndaj Polonisë dhe Bullgarisë

Tregjet europiane të aksioneve janë hapur me ndryshime të vogla në sesionin e sotëm, ndërsa investitorët po tregohen të kujdesshëm dhe po përllogarisin efektet mbi ngadalësimin e ekonomisë globale. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 po qëndron në rënie me rreth 0.1%, ndërsa shumica e sektorëve realizojnë humbje modeste. Investitorët po presin edhe fitimet tremujore të korporatave në Europë.
Credit Suisse raportoi humbje neto për tremujorin e parë të këtij viti dhe njoftoi ndryshime në manaxhim, pasi banka zvicerane u përball me kosto ligjore dhe humbje si pasojë e luftës Rusi-Ukrainë.
Ndërkohë, Deutsche Bank raportoi një fitim neto prej 1.06 miliardë dollarë, për tremujorin e parë të vitit. Në tregje vijon të mbizotërojë edhe presion nga lufta në Ukrainë, pasi të hënën ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov nënvizoi rrezikun e një lufte bërthamore, i cili nuk duhet të nënvlerësohet.
Sekretari amerikan i mbrojtjes u kundërpërgjigj, duke thënë se retorika e luftës bërthamore është shumë e rrezikshme dhe nuk ndihmon aspak.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.