Bursat rriten lehtë – Fitimet e korporatave mbështesin tregjet

Tregjet financiare po qendrojnë në rritje në sesionin e sotëm, ndërsa indeksi pan-Europian, Stoxx 600, ka fituar rreth 0.2% të vlerës, duke ndjekur tendencën në rritje të tregjeve amerikane.
Sektori i teknologjisë po kryeson fitimet, në rritje me rreth 1%, për shkak të të dhënave pozitive të korporatave për tremujorin e fundit të vitit 2017.
Përsa i përket aksioneve individuale, kompania Geberit është rritur ndjeshëm, me rreth 5%, pasi firma zvicerane raportoi shitje vjetore në linjë me parashikimet e analistëve.
Ndërkohë, tregjet amerikane prekën nivele të reja rekord, gjatë sesionit të kaluar, me indeksin Dow Jones që u mbyll sërish mbi 26 mijë pikë, për herë të parë në histori. Optimizmi për rritjen e qëndrueshme të ekonomisë globale dhe pritshmëritë për fitime të fuqishme të korporatave, kanë mbështetur shumicën e sektorëve.
Në fokus të tregjeve do të jetë edhe takimi i Theresa May me Emmanuel Macron, të cilët do të diskutojnë mbi tema të ndryshme, si ekonomia, lufta kundër terrorizmit dhe mbrojtja.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.