Bursat zgjerojnë fitimet – Në fokus, takimi i FED dhe Koreja e Veriut
Tregjet globale kanë zgjeruar fitimet edhe në sesionin e parë të kësaj jave, duke ndjekur tendencën pozitive të javës së kaluar. Investitorët kanë preferuar asetet me risk, pavarësisht shqetësimeve gjeopolitike globale.
Bursa e Portugalisë realizon ndër performancat më të mira, pasi pas 5 vitesh u rikthye në gradën e investimeve. Agjencia Standard and Poor’s u bë e para, ndër tre agjencitë më të mëdha të vlerësimit, që përmirësoi Portugalinë, në statusin e investimeve.
Për sa i përket korporatave, kompania franceze EDF u rrit ndjeshëm, pasi Goldman Sachs rriti rekomandimin për aksionet në “blerje” nga “neutral” që ishte më parë. Ndërsa RyanAir është në rënie, pasi kompania njoftoi se do të anulojë 40 deri në 50 udhëtime në ditë deri në fund të tetorit, duke shkaktuar probleme për ata pasagjerë që kishin prenotuar paraprakisht fluturimin.
Fokusi i investitorëve do të jetë i përqendruar edhe te takimi i Rezervës Federale, që fillon të martën. Analistët parashikojnë se nuk do të ketë rritje të interesave, por shefja e këtij institucioni, Janet Yellen, mund të sinjalizojë se kur mund të vijë ndërhyrja e radhës.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, investitorët vazhdojnë të jenë të kujdesshëm, për shkak të tensionit në gadishullin Korean.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.