Bushati në Uashington për sigurinë në rajon – Vlerësohet kontributi i Shqipërisë

Siguria në rajonin e Ballkanit Perëndimor është një çështje me rëndësi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka zhvilluar një takim në Shtëpinë e Bardhë me Zv/këshilltaren e Presidentit Trump për Sigurinë Kombëtare. Fokusi në diskutimet e palëve ishin sfidat e sigurisë në rajon dhe pozicionimi strategjik i Shqipërisë si partner në luftën kundër terrorizmit.
McFarland vlerësoi në këtë aspekt masat e marra nga Shqipëria për parandalimin dhe luftën ndaj ekstremizmit të dhunshëm, duke mbështetur fuqimisht partneritetin strategjik SHBA-Shqipëria.
Ministri Bushati foli për nevojën e fokusimit të rajonit drejt integrimit euroatlantik, si përgjigje ndaj përpjekjeve të faktorëve të jashtëm për destabilizim.
Vullneti i palëve ishte për një mbështetje më specifike dhe të profilizuar në nevojat që vendi ynë dhe Ballkani Perëndimor kanë për përballimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë.
Ndërkohë, McFarland përsëriti mbështetjen e fortë të SHBA-së për jetësimin e reformave në drejtësi, duke i cilësuar si jetike.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.