Bushati në Uashington: SHBA-të kanë investuar burime të mëdha njerëzore dhe financiare

Rritja e Bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe SHBA-së në kuadër angazhimeve në NATO dhe realizimi i reformave – kryesisht ajo në drejtësi, ishin në fokus të takimeve që ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, pati me zyrtarë të lartë në Senatin amerikan dhe në Dhomën e Përfaqësuesve.
Në takimin me Senatorin Chris Murphy, anëtar i Komisionit të posaçëm për Europën, bashkëbiseduesit u ndalën veçanërisht mbi zhvillimet e fundit në rajon, rëndësinë e partneritetit strategjik Shqipëri-SHBA, ecurinë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë, si dhe kursin e reformave në fushën e sundimit të së drejtës në vendin tonë.
Ministri Bushati foli për kontributin tonë në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, si dhe ecurinë e reformave shtet-konsoliduese në Shqipëri, në kuadër të procesit të integrimit në BE.
Duke analizuar faktorët aktualë të destabilizimit në rajonin tonë, Senatori Murphy shprehu vlerësimin e tij për kursin e reformave, bashkëpunimin Shqipëri-SHBA në kuadër të NATO-s, si dhe angazhimin tonë për më shumë siguri në rajon dhe në përballimin e sfidave të përbashkëta, siç është dhe lufta kundër ISIS.
Një tjetër takimin i ministrit të Jashtëm ishte me kryetarin e Komisionit për Politikën e Jashme, Ed Royce, dhe Kongresmenin Eliot Engel. Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme, kongresmenët Royce dhe Engel shprehën gatishmërinë e Kongresit Amerikan për të mbështetur konsolidimin e mëtejshëm të reformave, si një fushë ku SHBA kanë investuar burime të mëdha njerëzore dhe financiare përgjatë tri dekadave të fundit.
Florenc Drizari/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.