Buxhet i përbashkët në Eurozonë – ESM: 1-2% të PBB-së së rajonit, për të ndihmuar vendet gjatë krizës

Kreu i Mekanizmit Europian të Stabilitetit (ESM), Klaus Regling, thotë se Eurozona duhet të ketë një kapacitet fiskal të përbashkët për të mbështetur vendet anëtare në rast të një krize të papritur.
Një fond i tillë për periudha të vështira duhet të jetë ekuivalent me 1-2% të Produktit të Brendshëm Bruto të Eurozonës, apo aktualisht në 100-200 miliardë euro, thotë kreu i fondit të shpëtimit të rajonit.
Komisioni Europian ka sugjeruar gjithashtu se Eurozona do të duhet të emetojë borxh kolektiv dhe të menaxhojë një buxhet të përbashkët, në përpjekje për një integrim më të thellë rreth zonës së valutës së përbashkët, ndërkohë që Britania del nga unioni në vitin 2019. Regling tha se prezantimi i obligacioneve të tilla të sigurta europiane, do të ishte në parim një hap gjigant përpara.
“Nëpërmjet kësaj ne do të fitonim një treg në Europë që do të ishte po aq i madh dhe likuid sa ai i obligacioneve të Shteteve të Bashkuara”, tha kreu i ESM.
Megjithatë, sipas tij kjo do të funksiononte nëse do të bashkohej borxhi qeveritar në Eurozonë, gjë që nuk është realiste në të ardhmen e afërt. Regling mbështeti propozimin e Ministrit gjerman të Financave, Wolfgang Schaeuble, se Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk duhet të marrë pjesë në shpëtimet e ardhshme të Eurozoës dhe shtoi gjithashtu se pjesëmarrja e Bankës Qendrore Europiane nuk do të jetë më e nevojshme.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.