Buxheti 2018/ Nga linja hekurudhore Durrës, Rinas, Tiranë te ndërtimi i shkollave dhe spitaleve. Lista dhe vlera për projektet në qytetin bregdetar

Ministri Ahmetaj, gjatë një takimi në Durrës ka prezantuar edhe projektet që pritet të ndërtohen në këtë qytet, si pjesë e mbështetjes nga buxheti i shtetit për 2018, por edhe falë granteve apo kredive që vijnë në formën e një marrëveshje me qeverinë shqiptare.
Listën e projekteve e kryeson ndërtimi i linjës hekurudhore Durrës, Tiranë, Rinas.
“Projekti me BERZH, një kombinim i granteve me kredi të marrë nga qeveria shqiptare për të lidhur Tiranën dhe Durrësin, me aeroportin e Rinasit. Diskutimet që po bëjmë janë interesante nëse do të jetë një tren i rëndë apo një ten i lehtë që do të vijë në qendër te qyteti dhe të bëhet njësh me nevojat e qytetarëve për transportin publik”, tha Ahmetaj.
I dyti në listë është projekti për Ujësjellës-Kanalizimet, i cili sipas ministrit do të ketë vlerën e 7.8 mld lekë.
“ I dyti është projekti i Ujësjellës Kanalizimeve në vlerën e 7.8 mld lekëve për furnizimin me ujë, kur ky projekt të ketë përfunduar plotësisht, do t’i shërbejë qytetarëve”.
Projektet në arsim dhe shëndetësi
Në listë, ministri i Financave ka të renditur edhe projektet në arsim dhe shëndetësi.
“Projektet në arsimin parauniversitar, i pari është ndërtimi i shkollës 9-vjeçare “Marie Kaculini” me mbi 1 mln USD dhe shkollës së Bashkuar në Borizanë me më pak se 1 mln USD. Një tjetër projekt është ndërtimi i godinës së re universitare për Universitetin “Aleksandër Moisu” në vlerën 4.5 mln USD. Në shëndetësi, më pak se 3 mln USD shkojnë për rikonstruksionin e spitalit të Pediatrisë në Spitalin e Durrësit” u shpreh Ahmetaj.
Sipas ministrit, mbetet ende një sfidë kthimi i Portit të Durrësit në një port mbarëkombëtar që mund të lidhë edhe Kosovën. “Ka pasur kërkesa për mirëmenaxhimin e Portit të Durrësit nga kompani të njohura, por ky është ende një proces që vazhdon”, u shpreh Ahmetaj.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.