Buxheti afatmesëm, qeveria “zgjidh qesen” për rrugët! Vitet kur do të investohet më shumë
Qeveria shqiptare planifikon që për tre vitet e ardhshme t’i përqendrojë investimet buxhetore tek infrastruktura rrugore. Ndryshe nga se ndodhi në mandatin e parë të socialistëve, ku rrugët nuk kanë qenë në fokusin e investimeve, për tre vitet e ardhshme strategjia pritet të ndryshojë.
Në tabelat e Programit Buxhetor Afatmesëm 2019–2021, të miratuar më 7 mars 2018, financimet për rrugët përbëjnë zërin më të madh të shpenzimeve kapitale (investimeve). Ministria që ka më shumë fonde për investime është ajo e Energjetikës dhe Infrastrukturës, dhe më shumë se gjysma e fondeve të investimeve shkon tek rrugët. Kështu në vitin 2019 kjo ministri nga 45 miliard lekë investime, 24 miliardë do t’i ketë në dispozicion për rrugët.
Kësaj shifre i shtohen edhe 17 miliardë lekë të cilat do të përdoren për këtë qëllim nga Fondi i Zhvillimit Shqiptar. Në vitin 2020, ministria së bashku me FZHSH do të kanalizojnë tek rrugët 32 miliardë lekë dhe në vitin 2021 planifikohet të shkojnë për atë qëllim 41 miliardë lekë. Bie në sy se ky planifikim nuk i ka shpëtuar “efektit elektoral”.
Kështu në 2019, viti i zgjedhjeve lokale investimet në rrugë planifikohen 9 miliardë lekë më shumë se në 2020, vit në të cilin nuk ka zgjedhje, për të kërcyer përsëri në vitin 2021 (zgjedhjet politike) në nivelin e viti 2019.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.