Buxheti i BE-së pas Brexit – Gjermania duhet të kontribuojë 4.5 mld euro shtesë

Gjermania dhe kontribues të tjerë neto të buxhetit të përbashkët të Bashkimit Europian do të duhet të paguajnë më shumë pasi Britania të dalë nga blloku.
Komisioneri Guenther Oettinger tha se kontributi neto i Britanisë prej 9 miliardë euro nuk mund të kompensohet totalisht nëpërmjet shkurtimeve të ardhshme në buxhet.
Gjermania, ekonomia më e madhe e Europës, kontribuon sasinë më të madhe drejt buxhetit të Bashkimit Europian, në më shumë se 15 miliardë euro çdo vit.Sipas një raporti të Ministrisë së Financave në Gjermani, vendi do të duhet të kontribuojë 4.5 miliardë euro shtesë në vitet 2019 dhe 2020, pasi Britania të dalë.
Zyrtarët e lartë të Qeverisë Gjermane kanë thënë se buxheti i Bashkimit Europian duhet të reduktohet nëse kontributi i Britanisë bie.
Oettinger tha se Bashkimi Europian po konsideron shkurtime të mëtejshme të subvencioneve në bujqësi, megjithatë do të duhet më shumë financim duke marrë parasysh çështje të tjera që Brukseli kërkon të trajtojë, si emigrimi dhe fuqizimi i mbrojtjes.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.