Buxheti i Diasporës në Kuvend -Risi kryesore krijimi i qendrës së studimeve dhe publikimeve për arbëreshët
Regjistrimi i qytetarëve shqiptarë me banim jashtë vendit dhe mekanizmi përmes të cilit ata do të votojnë ka qenë pika më e diskutuar e buxhetit të Ministrisë së Diasporës. Ka qenë Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko ai që paraqiti në Komisionin Parlamentar të Punës së Jashtme buxhetin e këtij institucioni për vitin e ardhshëm, risia kryesore e të cilit është krijimi i qendrës së studimeve dhe publikimeve për arbëreshët.
Deputetja e opozitës Rudina Hajdari kërkoi informacion mbi regjistrimin e emigrantëve shqiptarë dhe si do mundësohet pjesëmarrja e tyre në votime, ndërkohë që Nënkryetari i Komisionit Ralf Gjoni vuri pikëpyetje mbi mungesën e një zëri buxhetor të ministrisë për votën e diasporës.
Ministri Pandeli Majko shpjegoi se është krijuar një grup teknik për këtë qëllim, por se është një vendim i cili i është kaluar qëllimisht komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore.
Buxheti i vitit 2020 për këtë Ministri është rreth 2.4 milionë dollarë, ndërkohë që prioritet do të ketë krijimi i një dhome të përbashkët të diasporës me Kosovën.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.