Buxheti i parë pas “Odisesë” – Greqia miraton paketën e shpenzimeve. Protesta jashtë parlamentit
Parlamenti grek miratoi buxhetin e parë pas ndihmave financiare, që projekton një rritje të suficitit të financave në vitin e ardhshëm dhe një përshpejtim të rritjes ekonomike. Buxheti i 2019-ës projekton një rritje ekonomike me 2.5%, krahasuar me 2.1% që pritet të mbyllet ky vit.
Kryeministri Alexis Tsipras tha se anëtarët e koalicionit drejtues kanë kaluar një periudhë të vështirë gjatë 3 viteve të fundit të programit të shpëtimit, të cilën e krahasoi me “odisenë”, por shtoi se tashmë mund të votojnë për buxhetin e parë ku Greqia është e lirë.
“Ky është buxheti i parë që është i yni, buxheti i parë i një Greqie që është e lirë, e riformuar dhe optimiste, por më e rëndësishme, një Greqi që është gati për të ecur përpara. Ja kemi borxh gjeneratave të ardhshme dhe qytetarëve, pasi nëpërmjet sakrificave të tyre, ne kemi dalë nga kriza dhe programi i shpëtimit”, Alexis Tsipras, Kryeministri i Greqisë. Koalicioni i majtë i Tsipras shpreson të shtojë mbështetjen përpara zgjedhjeve parlamentare vitin e ardhshëm.
Qeveria planifikon të ulë taksën e pronës me 10% dhe taksën korporative me 1% në vitin 2019. Ndërkohë që deputetët debatuan buxhetin brenda asamblesë dhe lideri i opozitës Kyriakos Mitsotakis e quajti koalicionin “qeveria e gënjeshtrave”, mijëra protestues marshuan në qendër të Athinës dhe jashtë parlamentit për të demonstruar kundër reformave jo popullore të masave shtrënguese.
Që prej vitit 2010, Greqia ka pranuar 3 paketa të shpëtimit ndërkombëtar, me një vlerë totale prej rreth 290 miliardë euro dhe do të qëndrojë vendi me borxhin më të madh në rajon për vite me radhë. Buxheti projekton një nivel të borxhit në 167.8 % të Produktit të Brendshëm Bruto në vitin e ardhshëm.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.