Buxheti i shëndetësisë për 2019 – Rritet për kujdesin parësor dhe dytësor me rreth 2.3 miliardë lekë

Shërbimet e Kujdesit Dytësor dhe Parësor në tre vite në vijim do të kenë një rritje të konsiderueshme të buxhetit. Konkretisht vlera e financuar në kujdesin dytësor do të jetë 24.9 miliardë lekë nga 22.5 miliardë lekë që është aktualisht.
Ndërsa referuar kujdesit parësor rritja e buxheti do të jetë më e vogël, konkretisht në vitin që vjen do të jepen 9.5 miliardë lekë nga 9.2 miliardë që u akorduan për 2018.
Me këtë vlerë lekësh synohet që në vitin që vjen të kemi një rritje të numrit të vizitave në kujdesin parësor nga 6.4 milionë që janë aktualisht në 6.6 milionë në vitin 2021.
Ndërkohë që si synim Ministria e Shëndetësisë kërkon që të arrihet numri i qytetarëve që kryejnë check up sipas kontratës së lidhur me koncesionarin.
Ndërsa referuar programit “Shërbime të kujdesit shëndetësor dytësor” synohet që të rritet numri i pacientëve të trajtuar nga 290 mijë pacientë në vitin 2018 në 330 mijë pacientë në vitin 2021.
Do të ketë një rritje të numrit të pacientëve që përfitojnë nga paketat e kardiokirurgjisë dhe kardiologjisë 200 pacientë më shumë çdo vit. Ndërsa numri i pacientëve që përfitojnë nga trajtimi me dializë do të shkojë në 234 nga 170 mijë pacientë që përfitojnë aktualisht.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.