Buxheti i “shëndetit e mirëqenies” – Grupet e interesit kërkojnë rritje të pagave

Buxheti i shëndetësisë dhe i mbrojtjes sociale për vitin 2019 nuk është konsultuar me grupet e interesit para hartimit të tij. Ankesa vjen nga këto grupe të cilat ishin thirrur në Komisionin e Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë për të shprehur kërkesat e tyre.
Nga Konfederata e Sindikatave është kërkuar që të rritet paga minimale si dhe të përcaktohet minimum jetik. Ndërkohë që premtimi për rritjen e pagave me 7% për mjekët nga kjo konfederatë cilësohet si indeksim, ashtu siç indeksohen edhe pensionet.
Ndërkohë që edhe personat me aftësi të kufizuar kanë kërkuar që buxheti 2019 të këtë më shumë hapësira për ta. Sipas Omer Onurit duhet që pensionet e invalidëve të punës të jenë më të larta se pensionet e pleqërisë . Dhe kjo e drejtë tju njihet që nga një janari i vitit që vjen.
Ndërkohë që edhe personat para dhe tetraplegjikë kanë kërkuar që të rritet pagesa e aftësisë së kufizuar si dhe tju paguhen të gjitha detyrimet e prapambetura.
Komisioni Parlamentar mori në konsideratë të gjitha kërkesat e grupeve të interesit, me premtimin se disa prej atyre kërkesave që janë të drejta të përfshihen në buxhetin e 2019.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.