Buxheti pas Brexit – Liderët e BE-së nisin diskutimet të premten. Prioritet, kompromisi mbi shifrën e përgjithshme
Udhëheqësit e Bashkimit Europian do të diskutojnë të premten për herë të parë buxhetin afatgjatë të BE-së duke filluar nga viti 2021 pasi Britania e Madhe, një nga kontribuuesit kryesorë, të jetë larguar nga blloku.
Udhëheqësit po përballen me një dilemë të vështirë pasi largimi i Britanisë krijon një hendek prej rreth 10 miliardë euro në vit në të ardhurat e buxhetit të BE-së.
Komisioni i BE-së në propozimet e tij paraprake argumentoi nevojën për një buxhet më të madh sesa nivelet aktuale, duke arritur të paktën 1.1 për qind të të ardhurave bruto kombëtare të bllokut. Kjo do të thotë më shumë kontribute nga shtetet e tjera anëtare se më parë.
Qeveria e re e Gjermanisë tha në marrëveshjen e saj të koalicionit se ishte e gatshme të paguante më shumë. Megjithatë, vendet e tjera kontribuese neto, si Holanda, Austria dhe vendet anëtare nordike argumentojnë se një BE më e vogël ka nevojë për një buxhet më të vogël.
Një nga fushëbetejat kryesore do të jetë gjetja e një kompromisi mbi shifrën e përgjithshme. Krerët nuk pritet të bien dakord për madhësinë e buxhetit për tani, por duhet të japin një drejtim për propozimin e buxhetit të Komisionit Evropian, i cili do të zbulohet më 2 maj të këtij viti.
Shkurtimet megjithatë pritet të bëhen në dy fusha kryesore të politikave, të cilat përbëjnë 70 për qind të buxhetit të përgjithshëm të BE-së: bujqësia dhe politika e kohezionit, e cila ka për qëllim krijimin e investimeve për rajonet më të varfra.
Udhëheqësit gjithashtu do të diskutojnë edhe për prioritete të tjera. Vendet e BE dëshirojnë të punojnë më ngushtë së bashku në mbrojtje, siguri dhe migrim dhe komisioni argumenton se për këto politika duhet të jetë efektive, duhet të shtohen para të konsiderueshme të reja në buxhet.
“Politikat e reja kërkojnë më shumë para, nuk mund të bëjmë më shumë me më pak”, tha një diplomat i BE.
Një çështje tjetër kyçe që tashmë po shkakton një përçarje midis shteteve anëtare është ideja e lidhjes së fondeve të BE-së me respektimin e sundimit të ligjit dhe të politikave të migracionit.
Nocioni është tërhequr me shqetësim gjithnjë e më të madh për sundimin e ligjit në Poloni dhe Hungari, dy vende të cilat gjithashtu kanë refuzuar të marrin pjesë në skemën e migracionit të BE-së.
Ndërkohë, disa shtete anëtare gjithashtu argumentojnë se buxheti i ri duhet të miratohet nga Parlamenti Evropian i sapozgjedhur.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.