Buxheti për kopshtet – Hapet kopshti nr. 60, Veliaj: Rrisim investimet

Në Ditën Botërore të Fëmijëve, Bashkia e Tiranës ka hapur dyert e kopshtit nr. 60, i cili është rindërtuar tërësisht, duke ulur ngarkesën në kopshtet e Njësisë Administrative nr.3. Punimet u përuruan nga kryebashkiaku, Erion Veliaj, i cili tha se me buxhetin e vitit që vjen, investimet në këto objekte arsimore do të rriten.
“Ky kopësht sjell një çlirim të fluksit për Njësinë 3. Dua të ftoj prindërit që janë të interesuar, të vrapojnë të regjistrohen dhe nga 1 janari do të kemi mundësinë që të ofrojmë edhe shtretërit që janë gati, edhe kuzhinën që është gati. Kopshti do të jetë një kopsht me drekë. Ftoj edhe Këshillin Bashkiak ta miratojmë buxhetin e ri, i cili do jetë 15% më i madh dhe do të na mundësojë që të bëjmë akoma më shumë subvencionime në çerdhe e kopshte. Do të thotë që të hapim kopshte e çerdhe të reja në një Tiranë që sa vjen e rritet. Fokusi në dy vitet e ardhshme, edhe me buxhetin e ri, do të jetë për kopshtet e çerdhet në zonat periferike”, tha Veliaj.
Kopshti Nr. 60 ka funksionuar më parë si kopësht pa dreke dhe pas ndërhyrjes së Bashkisë së Tiranës me mbështetjen e donatorëve, tashmë i ka të gjitha kushtet për të funksionuar si kopsht me drekë. Ndërhyrja solli riparimin e çatisë, instalimin e nyjeve të reja sanitare, si dhe rikonstruksionin e mjediseve me lagështirë.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.