Buxheti për shëndetësinë – Rritje pagash 5% nga korriku. Bonuse deri në 250 mijë lekë

Nga korriku i vitit të ardhshëm mjekët dhe infermierët do të paguhen më shumë. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale , Ogerta Manastirliu gjatë prezantimit të buxhetit të shëndetësisë për vitin 2018 u shpreh se do të këtë rritje pagash deri në 5% si edhe rritje të skemës së bonusit deri në 250 mijë lekë nga 100 mijë që është aktualisht, për mjekët që do caktohen në spitalet rajonale.
“Do të ketë një rritje pagash duke filluar nga Korriku i 2018-ës. Përfitues të rritjes deri prej 5% do të jenë rreth 18 000 mjekë dhe infermierë. Për motivimin e dërgimit të mjekëve në këtë zonë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nëpërmjet Ministrisë së Financave do të përdori skemën e bonuseve, duke rritur skemën e bonusit nga 100 mijë lekë ose 1 milionë lekë të vjetra në një rritje të konsiderueshme nga 200 mijë deri në 250 mijë lekë në muaj.”
Manastirliu theksoi se gjatë 2018-ës do të ketë edhe dyfishim të ndihmës ekonomike për përfituesit, të cilët nga janari i vitit të ardhshëm do të përzgjidhen përmes një skeme të modernizuar.
“Skema e re e buxhetuar në 2018 do të eliminojë kriteret përjashtuese, do të lehtësojë dokumentacionit për përfitimin e kësaj skeme nga qytetarët në nevojë, do të rrisë masën e ndihmës ekonomike, do të eliminojë ndihmën e pjesshme për 40 mijë familje të skemës së ndihmës ekonomike, si dhe do të ketë rritje dyfish dhe trefish të masës së pagesës së ndihmës ekonomike për çdo familje dhe të varfër.”
Buxheti për shëndetësinë për vitin e ardhëm kap vlerën prej 73 miliard e 80 milion lekë, me një rritje prej 2.3 miliard krahasuar me një vit më parë. Sipas Manastirliut, prioritet për këtë vit do ketë përmirësimi i infrastrukturës për 80 qendra shëndetësore me një investim prej 260 milionë lekësh si edhe dhe shtimi i flotës më 32 autoambulanca.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.