Buxheti po përdoret për tendera – Basha: Qeveria po fsheh shifrat e infektimeve për të mos shpenzuar për shëndetësinë
Në komunikimin me mediat të martën Kreu i Opozitës Lulzim Basha e ka përshkruar me tone alarmante situatën e infektimeve në vend, duke akuzuar se Qeveria po fsheh shifrat e vërteta të Pandemisë me qëllim mospërdorimin e fondeve buxhetore për luftën ndaj saj, por për tenderat korruptivë. Ai tha se ekipi i shëndetësisë pranë PD kanë marrë një numër shumë të madh raportimesh nga familjarë me simptoma COVID dhe u refuzohet tampon, ndërkohë që numri i të infektuarve që raportohet është shumë më i ulët se numri real i tyre.
Basha akuzoi më tej se mungesa e transparencës është e qëllimshme, në mënyrë që fondet buxhetore të mos shkojnë për të luftuar pandeminë, por për klientët e qeverisë. Ai tha se të martën është bërë një pagesë 3 milion euro nga thesari për një kontratë me kosto dyfishe për PPP-në në rrugën e Arbrit. Ai vijoi me akuzat duke thënë se në buxhetin e vitit të ardhshëm janë parashikuar 38 milion euro për luks zyrash, 1.6 milion euro vetëm për zyrën e Ramës, bashkë me 120 milion euro për PPP-të mafioze.
Basha përsëriti thirrjen për rritje të numrit të testimeve për të shmangur kolapsin që po rrezikon sistemin shëndetësor.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.