Buxheti shkon në Komision – “I paprekur” për votim në seancën plenare
Buxheti i shtetit për vitin 2019 do të shqyrtohet ditën e Martë në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, pasi nuk u dekretua nga Presidenti i Republikës Ilir Meta.
Megjithëse mazhoranca e konsideron draftin të mbyllur, sipas ligjit ai duhet të kalojë sërish në Komisionin përgjegjës që më pas të shkojë për miratim në seancën plenare. Kështu, Parlamenti do të mblidhet dy herë brenda kësaj javë dhe ditën e Premte pritet të rrëzojë dekretin e Presidentit për ti hapur rrugën hyrjes në fuqi të buxhetit dhe paketës fiskale.
Pak ditë më parë, përmes një njoftimi për shtyp, Presidenti u shpreh se, duke vlerësuar konsensusin e gjerë publik mbi kërkesat e studentëve, ai vendosi ta kthejë për rishqyrtim buxhetin e vitit të ardhshëm.
Presidenti vuri në dukje se kërkesat janë konsideruar nga të gjithë aktorët politikë si, të drejta, legjitime dhe të realizueshme.
Presidenti i Republikës shprehu besimin e plotë se Kuvendi i Shqipërisë do të reflektojë një bashkëpunim gjithëpërfshirës, me qëllim plotësimin e kërkesave të studentëve dhe interesit publik.
Të ardhurat në buxhet për vitin e ardhshëm janë parashikuar në 486 miliardë lekë, shpenzimet rreth 519 miliardë lekë dhe deficiti tregtar rreth 33 miliardë lekë, ndërsa në paketën fiskale përfshihen një sërë lehtësish në favor të biznesit.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.