Buxheti i shtetit 2018 – Botohet në Fletoren Zyrtare, efektiv më 1 Janar

Buxheti i shtetit 2018, i cili është ligji më i rëndësishëm financiar në vend, është botuar në Fletoren Zyrtare duke marrë kështu trajtën përfundimtare që e bën atë më 1 janar të vitit të ardhshëm efektiv.
Sipas relacionit që e shoqëron, buxheti i vitit 2018 do të mbështesë rritjen ekonomike dhe vazhdimin e reformave të rëndësishme tashmë të nisura. Buxheti do të mundësojë rritjen ekonomike, ndërsa investimet publike kanë në fokus infrastrukturën.
Treguesit kryesorë të buxhetit janë të ardhurat për vitin e ardhshëm janë parashikuar në vlerën 464.7 miliardë lekë, ose 28.2% të PBB, ku peshën kryesore të tyre do e mbajnë te ardhurat nga tatimet dhe doganat me 317.5 miliardë lekë. Më pas renditen të ardhurat nga fondet speciale me 88 miliardë lekë, të ardhurat jo tatimore me 25.7 miliardë lekë, ndërsa të ardhurat nga pushteti vendor janë planifikuar në masën 18.7 miliardë lekë.
Po sipas këtij ligji shpenzimet buxhetore për vitin e ardhshëm janë parashikuar në masën 497 miliardë lekë, ose 30.1 % e PBB. Edhe në këtë vit pjesën “ e luanit” e zënë shpenzimet korrente me 407.9 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet kapitale janë planifikuar në vlerën 86.3 miliardë lekë ose 5.2 % e PBB. I gjithë viti buxhetor është parashikuar të shoqërohet nga një deficit prej 32.3 miliardë lekë, ose 2 % e PBB.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.