Buxheti i Tiranës – Nisin konsultimet, Veliaj, banorëve: Merrni pjesë në dëgjesa

Bashkia e Tiranës ka nisur konsultimet publike me banorët për projektbuxhetin e vitit 2018, ndërkohë që kryebashkikau, Erion Veliaj ka ftuar të gjithë qytetarët të bëhen pjesë, duke propozuar investimet prioritare.
“Jemi futur në muajin kur do të diskutojmë buxhetin. Do të vijmë me propozime konkrete, por në pamundësi për t’i bërë të gjitha gjërat menjëherë, ashtu si në një shtëpi, ku nuk bëhen të gjitha punët përnjëherë, do t’u kërkojmë banorëve që të na thonë, në dëgjesat për buxhetin se cilat kanë prioritete. Mund të jetë një shkollë, mund të jetë një kopsht, një çerdhe. Nëse i vendosim prioritetet bashkë në buxhetin me pjesëmarrje, do të kemi sukses dy vitet e ardhshme në Tiranë siç kemi pasur këto dy vitet e para”.
Deklaratat e Veliajt u bënë gjatë inspektimit të nisjes së punimeve për rikonstruksionin e një prej blloqeve më të mëdha të banimit në Njësinë 9, e cila do të shndërrohet në një lagje model për kryeqytetin.
“Ky projekt me 27.4 ha në 27 rrugë, që parashikon ndërhyrje me themel, pra që nga shtresat nëntokësore, me sinjalistikë, ndriçim etj, duke shtuar edhe disa lulishte, besoj do jetë projekti më transformues që ka parë Njësia 9 në 50 vitet e fundit. I kërkoj banorëve durim, mirëkuptim, teksa do ta kthejmë të gjithë lagjen në kantier, por ama kur të hyjë pranvera, brenda 6-7 muajsh, do kemi mbaruar dhe kjo do të jetë një zonë, e cila do të shohë vlerën e shtëpisë të rritur, por sigurisht edhe gjallërimin e bizneseve në një zonë shumë të lakmuar të Tiranës”.
Projekti për rikonstruksionin e këtij blloku të madh banimi parashikon sistemimin e rrugëve dhe shesheve, me të gjithë elementët e infrastrukturës rrugore dhe urbane, me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës së komunitetit të kësaj zone dhe krijimin e akseseve të lëvizjes me rrugët e tjera të qytetit.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.