Bypass-i i Fierit, Rama: Punimet nisin në vjeshtë, gati për sezonin e ardhshëm turistik

Punimet për Bypass-in e Fierit do të nisin në vjeshtë, ndërkohë që kjo vepër infrastrukturore do të jetë gati për sezonin e ardhshëm turistik”.
Premtimi është bërë nga kryeministri Edi Rama, ku përmes një postimi një rrejtin social ‘Facebook’ tha se punimet në këtë rrugë nuk do të ndalen më. “Punimet do të bejnë të mundur çlirimin e plotë të trafikut të automjeteve drejt jugut në sezonin e ardhshëm veror”, komentoi Rama, duke e shoqëruar postimin me një video nga unaza lindore e Fierit, ku ka përfunduar rindërtimi përmes projektit të Programit Kombëtar të Mirëmbajtës së Rrugëve.
Në mesin e muajit qershor Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi përmbylljen e fazës së parakualifikimit për këtë bypass, i cili është shumë i rëndësishëm sidomos përgjatë sezonit veror për shkak të rritjes së fluksit të automjeteve.
Punimet në këtë segment të rëndësishëm rrugorë janë zvarritur prej vitesh, ndërkohë që në prill të vitit të kaluar Autoriteti Rrugor Shqiptar anuloi në mënyrë të njëanshme kontratat e lidhur me kompaninë italiane “Serenissima Construzioni”, duke e konsideruar si të patolerueshme zgjatjen e mëtejshme të afateve të ndërtimit të kësaj veprave serioze infrastrukturore rrugore.
Bypass-i i Fierit parashikon ndërtimin e një autostradë interurbane midis qytetit të Fierit dhe Levanit me gjatësi afërsisht 22 km, ndërsa aktualisht punimet për këtë vepër kanë mbetur në nivelin e 55%.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.