“Call center”-Qeveria italiane me protokoll, “fshin” 80% të aktivitetit në Shqipëri

Qeveria italiane duket se e ka me ngut, sa i përket misionit për të risjellë “call center” në atdhe.
Nëpërmjet këtij plani, Roma zyrtare synon të krijojë 20 mijë vende të reja pune. Për këtë arsye. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Carlo Calenda ka vendosur të thërrasë në një takim aktorët kryesorë italianë që operojnë në sektor, kryesisht ndërmarrjet e sektorit të telekomunikacionit, energjisë, bankave, siguracioneve, televizionit me pagesë etj.
Të gjithë këtyre, me ftesë dhe kërkesë të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik do t`iu kërkohet të firmosin një protokoll mirëkuptimi, nëpërmjet të cilit angazhohen të zhvillojnë 100% të aktivitetit të tyre brenda vendit. Kjo gjë, do të garantojë që, 80% e volumit të telefonatave jashtë vendit, ose outsourcing, të bëhen në fakt nga Italia.
Vetë Ministria italiane e Zhvillimit Ekonomik e quan këtë një mision riatdhesimi. 6 muaj nga nënshkrimi i këtij protokolli, ndërmarrjet që aktualisht i kryejnë shërbimet e tyre call center jashtë vendit, dhe një pjesë e madhe prej tyre në Shqipëri, angazhohen të kryejnë një sërë detyrash.
Më e rëndësishmja është ajo që brenda 6 muajsh duhet të rikthehen në Itali, në masën 100% të gjitha shërbimet Call Center që janë të destinuara për tregun e brendshëm, si dhe 80% e atyre që i referohen tregut të jashtëm. Kriteret e tjera përfshijnë; për të huajt që punojnë në call center, pajisjen me certifikatë gjuhe, të nivelit C1, kritere cilësie të telefonatave, etj.
Vetëm në Shqipëri vlerësohet se në sektorin call center punojnë rreth 25 mijë persona. Gjithsesi, këta 25 mijë persona nuk punojnë vetëm për ndërmarrje italiane. Roma zyrtare vlerëson se në vende si Shqipëria, Rumania, Kroacia, Tunizia dhe Maroku janë të punësuar 25 mijë persona në sektor, nga ndërmarrjet italiane.
Protokolli i mirëkuptimit kërkon të fshijë 80% të tyre, me qëllimin për të risjellë 20 mijë vende pune në Itali.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.